“Daulina Osmani ka lindur më 9 shkurt 1993 në Prishtinë. Ka përfunduar studimet bachelor në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës dhe studimet master në Menaxhim Sportiv në Universitetin Kombëtar të Seulit, në Kore të Jugut.
Është kampione e shumëfishtë dhe mbajtëse e 23 rekordeve të Kosovës në not. Gjatë karrierës së saj 10-vjeçare ka përfaqësuar Kosovën, ndërsa fazën përmbyllëse të karrierës sportive e zhvilloi në Kroaci. Pas përfundimit të karrierës aktive, u angazhua si trajnere e notit, me fokus në identifikimin dhe zhvillimin e sportistëve të rinj.
Krahas angazhimit sportiv, ka ndërmarrë nisma për përmirësimin e organizimit dhe qeverisjes së sportit në vend dhe ka përfaqësuar interesat e studentëve, sportistëve dhe trajnerëve.
Në prill të vitit 2021 u emërua zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë Kurti II, me përgjegjësi kryesore për fushën e sportit.
Gjatë mandatit të parë, udhëhoqi proceset e reformimit të kornizës ligjore dhe strategjike në fushën e sportit dhe rinisë, si dhe hartimin e politikave për qeverisje të mirë në sport. Kontribuoi në rritjen e buxhetit për sportin, zgjerimin e mbështetjes për sportistët elitarë dhe ata me potencial, si dhe në zhvillimin e programeve shtetërore për zhvillim përmes sportit.
Daulina udhëhoqi angazhimin e Qeverisë dhe institucioneve shtetërore në procesin e kandidaturës së Prishtinës për Lojërat Mesdhetare 2030 dhe vijoi punën në përgatitjet për organizimin e tyre.”
Dijana Latifaj – Asistente Administrative – 044 860 799 – dijana.latifaj@rks-gov.net
Almir Gubetini – Shofer i Zevendesministres – 048 155 608 – almir.gubetini@rks-gov.net