Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, priti sot në takim Kryetarin e Federatës së Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës, Arianit Nikçi, si dhe alpinisten Mrika Nikçi.
Takimi ishte një mundësi për të vlerësuar kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në zhvillimin e bjeshkatarisë dhe alpinizmit në Kosovë, si dhe për të rikujtuar një nga sukseset më të mëdha në historinë e sportit kosovar – rekordin Guinness të vendosur nga Arianit dhe Mrika Nikçi, si babë e bijë, për ngjitjen më të shpejtë të “Seven Summits”, shtatë majave më të larta të shtatë kontinenteve, të realizuar për vetëm 1 vit e 202 ditë.
Ministri Gashani theksoi se suksese të tilla janë dëshmi se pas çdo arritjeje qëndrojnë pasioni, puna, disiplina, sakrifica dhe guximi për të sfiduar kufijtë.
Gjatë takimit u diskutua edhe për planet dhe iniciativat që do të ndërmerren në periudhën e ardhshme për zhvillimin e mëtejshëm të bjeshkatarisë dhe alpinizmit në Kosovë, me synimin që ky sport të fuqizohet dhe të arrijë suksese të reja, brenda dhe jashtë vendit.

