Për herë të parë, qyteti i Gjenevës ishte mikpritës i aktivitetit tradicional “Superkupa Kosovë–Diasporë”, një ngjarje e veçantë sportive që tashmë është shndërruar në urë lidhëse ndërmjet futbollit të Kosovës dhe diasporës shqiptare. Ky aktivitet u organizua si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë se Sportit dhe Rinisë, Federata e Futbollit e Kosovës, Federata e Futbollit Shqiptar në Gjermani dhe Unioni i Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër.
Në edicionin e sivjetmë për trofeun u përballën FC Prishtina, fituese e Kupës së Kosovës, dhe FC Kosova Genève, fituese e Kupës së Diasporës. Ndeshja u organizua nga FC Kosova Genève dhe Unioni i Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër, nën ombrellën e FFK-së, me mbështetjen e Ministrisë së Sportit dhe Rinisë si dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Atmosfera festive u pasurua me një program artistik me këngë dhe valle kombëtare, duke i dhënë aktivitetit një karakter të veçantë kombëtar.
Pas një ndeshjeje interesante dhe shumë të luftuar nga të dyja skuadrat, koha e rregullt u mbyll me rezultat 2:2. Fituesi i Superkupës u përcaktua pas ekzekutimit të penalltive, ku më e suksesshme u tregua FC Prishtina, e cila triumfoi me rezultat 4:3.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve. Nga Ministria e Sportit dhe Rinisë të pranishëm ishin U.D. Sekretari i Përgjithshëm i MSR-së, Lendrit Iljazi, si dhe dy këshilltarët e Ministrit Blerim Gashani, këshilltari i lartë Drilon Brahimi dhe këshilltari Isa Maloku, Ndërkaq, nga Federata e Futbollit e Kosovës i pranishëm ishte kryetari Agim Ademi.


