Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka nënshkruar Memorandumet e Bashkëpunimit me 39 Federata Sportive për vitin 2026, duke konkretizuar mbështetjen institucionale në vlerë prej mbi 6.5 milionë euro.
Kjo mbështetje synon të përmirësojë funksionimin e federatave, të rrisë performancën e sportistëve dhe të zhvillojë më tej sportin në vend. Federatat konsiderohen faktor kyç në këtë proces dhe pritet të kontribuojnë me rezultate konkrete, përmes punës profesionale dhe angazhimit të vazhdueshëm.
Fokusi i kësaj mbështetjeje është forcimi i menaxhimit në sport, rritja e cilësisë së aktiviteteve sportive dhe përfaqësimi më i mirë në garat ndërkombëtare.
Njëkohësisht, theks i veçantë i jepet transparencës dhe llogaridhënies në përdorimin e fondeve publike.
Gjatë fjalës së tij, ministri Gashani theksoi se federatat sportive janë partnerë kyç në zhvillimin e sportit në vend, duke nënvizuar rolin e tyre të rëndësishëm në rritjen e cilësisë së aktiviteteve dhe përmirësimin e rezultateve sportive.
Ai kërkoi nga federatat angazhim të lartë, profesionalizëm dhe përkushtim të vazhdueshëm, në mënyrë që mbështetja institucionale të shndërrohet në rezultate konkrete dhe në rritje të performancës së sportit.


