Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka pritur në takim Kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Dr. Cemil Tugay, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë në Kosovë, së bashku me delegacionin e Shoqatës për Art, Kulturë dhe Turizëm Kosova në Izmir.
Takimi ishte vazhdimësi e komunikimit dhe bashkëpunimit të nisur gjatë vizitës së ministrit Gashani në Izmir në muajin maj, me synim konkretizimin e iniciativave me interes të përbashkët.
Në fokus të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit në sport, përmes shkëmbimit të sportistëve dhe përvojave në disiplina të ndryshme, si dhe krijimi i mundësive të reja për bashkëpunim në fushën e rinisë, ekonomisë dhe infrastrukturës sportive.
Ministria e Sportit dhe Rinisë vlerëson se thellimi i bashkëpunimit me Izmirin mund të krijojë mundësi konkrete për të rinjtë dhe sportistët, si dhe të kontribuojë në forcimin e mëtejmë të lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.


