Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, mori pjesë sot në inaugurimin e FIFA Talent Academy Kosova, një projekt i rëndësishëm i realizuar përmes bashkëpunimit ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe FIFA-s.
Akademia sjell në Kosovë standardet dhe metodologjitë më të avancuara për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të rinj. Në gjeneratën e parë janë përfshirë 40 talente nga e gjithë Kosova – 20 vajza dhe 20 djem.
FIFA Talent Academy Kosova është e treta në rajonin e UEFA-s dhe e 15-ta në botë, ndërsa veçantia e saj qëndron në përfshirjen e vajzave dhe djemve në të njëjtin program.
Ministri Gashani vlerësoi punën dhe vizionin e FFK-së në ndërtimin e një sistemi më të strukturuar për zhvillimin e futbollit të të rinjve dhe theksoi rëndësinë e investimit të vazhdueshëm në talentet e reja.
Sot investojmë në talent. Nesër ndërtojmë kampionët e Kosovës.

