Kur të rinjtë bëhen pjesë e diskutimeve që i japin formë të ardhmes, lindin ide të reja, zgjidhje inovative dhe energji që shtyn përpara zhvillimin e shoqërisë. Pikërisht me këtë frymë u mbajt edicioni i 8-të i Asamblesë Rinore të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, këtë vit në Istog, nën temën “Youth in the Field”.
Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, mori pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme, e cila mblodhi të rinj nga Kosova dhe rajoni, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe organizata që veprojnë në fushën e rinisë. Në këtë kuadër, ministri është takuar edhe me të rinjtë e ekipit organizativ të United Youth Task Force (UYTF).
Asambleja shërbeu si një platformë e vlefshme për diskutimin e sfidave, mundësive dhe politikave që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e të rinjve, duke nxitur pjesëmarrjen e tyre aktive në proceset shoqërore, ekonomike dhe institucionale.
Gjatë adresimit të tij, ministri Gashani theksoi se të rinjtë janë një nga asetet më të rëndësishme të vendit dhe se krijimi i hapësirave ku ata mund të shprehin idetë, të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të kontribuojnë në vendimmarrje është thelbësor për një të ardhme më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse.

