Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, priti në takim Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, me të cilin diskutoi për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e sportit dhe rinisë.
Në fokus të takimit ishin përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, me theks të veçantë në shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës nga organizimi i Lojërave Mesdhetare Taranto 2026 në Itali.
Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të praktikave organizative, si kontribut në përgatitjet për këtë ngjarje të rëndësishme sportive që do të mbahet në Kosovë. Ministria e Sportit dhe Rinisë, ndihmën e deritashme të Italisë e konsideron të rëndësisë së veçantë dhe mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e sportit dhe rinisë, sidomos edhe të përgatitjeve për Prishtina 2030.

