Investimet në infrastrukturën sportive dhe përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 ishin në fokus të diskutimeve në kuadër të Samitit të Ballkanit, ku u theksua rëndësia e krijimit të një trashëgimie të qëndrueshme sportive për Kosovën.
Në panelin kushtuar kësaj teme, Ministria e Sportit dhe Rinisë u përfaqësua nga Këshilltari i Lartë i ministrit Blerim Gashani, Drilon Brahimi, i cili prezantoi angazhimin dhe garancinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillimin e infrastrukturës sportive në të gjithë territorin e vendit.
Gjatë diskutimit u theksua se investimet e planifikuara nuk synojnë vetëm përmbushjen e kërkesave për organizimin e Lojërave Mesdhetare, por edhe krijimin e kushteve moderne dhe afatgjata për sportistët, klubet, federatat dhe komunitetet në mbarë Kosovën. Përgatitjet dhe investimet për këto lojëra do të jenë një mundësi e rëndësishme për zhvillimin e sportit dhe ndërtimin e një trashëgimie infrastrukturore që do t’u shërbejë edhe gjeneratave të ardhshme.

