REAGIM I MINISTRIT TË SPORTIT DHE RINISË, BLERIM GASHANI, LIDHUR ME ORGANIZIMIN E LOJËRAVE MESDHETARE PRISHTINA 2030

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Në lidhje me një status të publikuar sot nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ku është shpërndarë një korrespondencë e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) rreth organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, si Ministër i Sportit dhe Rinisë, por edhe si anëtar i Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare, e konsideroj të rëndësishme të jap një sqarim.

Publikimi i kësaj korrespondence, pa pasqyruar tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale, me një dramaticitet të panevojshëm dhe me alarm të pabazë, përbën një qasje problematike. Kjo korrespondencë, e cila trajton çështje dhe shqetësime ndërmjet institucioneve partnere, u është drejtuar të gjithë përfaqësuesve përkatës institucionalë, përfshirë edhe Kryetarin e Prishtinës.

Si përfaqësues i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe anëtar i Bordit Organizativ të Lojërave Mesdhetare, që udhëhiqet nga Kryeministri Albin Kurti, dua të ritheksoj se përkushtimi ynë për organizimin dhe realizimin me sukses të këtij eventi madhor sportiv mbetet i plotë dhe i palëkundur.

Ne po vazhdojmë punën me përgjegjësi, seriozitet dhe dedikim, në bashkëpunim me ICMG-në, por edhe me të gjithë partnerët dhe institucionet përkatëse, për të siguruar që çdo punë, çdo proces dhe çdo obligim që lidhet me organizimin e Lojërave Mesdhetare të realizohet në përputhje me standardet dhe afatet e përcaktuara.

Vështirësitë, problemet dhe kompleksiteti i natyrshëm i projekteve të tilla po trajtohen me kujdes dhe vendosmëri, pa zhurmë, pa britma dhe pa ankesa.

Lojërat Mesdhetare janë një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme për sportin, për vendin tonë dhe për prezantimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Prandaj, energjia dhe vëmendja jonë do të mbeten të përqendruara te puna konkrete, bashkëpunimi institucional dhe arritja e rezultateve, e jo te ankesat, ngritja e alarmeve dhe disfatizmi, që janë të pavend dhe të pabazuara.

Lojërat Mesdhetare janë një përgjegjësi e përbashkët dhe një mundësi historike për Kosovën. Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi është dhe do të jetë garantuese e tyre.

Prandaj, qytetarë të Kosovës, po e themi përsëri:

Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030!

Kosova do të organizojë dhe do të shkëlqejë në Lojërat Mesdhetare 2030, si në organizimin e tyre, ashtu edhe në sukseset e garuesve tanë në arenat sportive!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors