Në Konferencën Ndërkombëtare RIGES 2026, të mbajtur në Paris, ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, prezantoi vizionin e Republikës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Gjatë prezantimit u theksua se organizimi i Lojërave Mesdhetare përfaqëson projektin më të madh zhvillimor në historinë e sportit në Kosovë, me ndikim të drejtpërdrejtë në modernizimin e infrastrukturës sportive, fuqizimin e të rinjve, zhvillimin ekonomik dhe promovimin ndërkombëtar të vendit.
Ministri Gashani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme me institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, duke e konsideruar bashkëpunimin, ekspertizën dhe inovacionin si elemente kyçe për organizimin me sukses të Lojërave Mesdhetare 2030.
Me këtë prezantim, Kosova konfirmon gatishmërinë për të organizuar një ngjarje sportive të standardeve më të larta ndërkombëtare, duke ndërtuar një trashëgimi të qëndrueshme për sportin, rininë dhe brezat që vijnë.
