Sot në Prishtinë është mbajtur sesioni informues për themelimin e Këshillit Qendror Rinor (KQR), organizuar nga Ministria e Sportit dhe Rinisë përmes Agjencisë për Zhvillimin e Rinisë, në bashkëpunim me CIVIKOS.
Në këtë aktivitet morën pjesë mbi 100 të rinj dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, organizatave rinore, parlamenteve studentore dhe strukturave të tjera rinore nga e gjithë Kosova, duke dëshmuar interesim dhe angazhim të lartë për këtë proces të rëndësishëm kombëtar.
Në emër të Ministrit të Sportit dhe Rinisë, Donika Zogu, Këshilltare Politike, theksoi rëndësinë e themelimit të KQR-së si një mekanizëm kyç për përfaqësimin dhe fuqizimin e të rinjve në proceset vendimmarrëse. Ndërkaq, Gresa Berisha nga platforma CIVIKOS nënvizoi rolin e mekanizmave rinorë në avancimin e politikave publike dhe sigurimin e pjesëmarrjes aktive dhe gjithëpërfshirëse të të rinjve.
Gjatë sesionit, Vedat Jashari prezantoi bazën ligjore dhe rregullative për themelimin e KQR-së, përfshirë Ligjin për Rininë, si dhe rolin e këtij mekanizmi si organ përfaqësues, këshillues dhe monitorues në nivel kombëtar. Pjesëmarrësit u informuan gjithashtu për procedurat, kriteret e pranueshmërisë, procesin e aplikimit dhe afatet kohore për fazat e ardhshme.
Sesioni u zhvillua me diskutim të hapur dhe interaktiv, duke kontribuar në transparencë dhe qartësi të procesit, si dhe në ndërtimin e një dialogu të strukturuar ndërmjet të rinjve dhe institucioneve.
Këshilli Qendror Rinor synon të shërbejë si një platformë e fuqishme përfaqësimi dhe bashkëpunimi, duke garantuar përfshirje të gjerë, barazi dhe përfaqësim të të gjitha grupeve rinore në Republikën e Kosovës. Ministria e Sportit dhe Rinisë mbetet e përkushtuar për fuqizimin e mekanizmave përfaqësues të rinisë dhe avancimin e politikave rinore, duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe angazhimin e tyre në këtë proces të rëndësishëm.
