Përfaqësuesja e Kick Box-it të Kosovës ka shënuar rezultate të jashtëzakonshme në Turkish WAKO World Cup, një nga turnetë më prestigjioze të kickbox-it në botë, ku morën pjesë 2995 garues nga 43 shtete.
Sportisti Art Dulaj shkëlqeu në kategorinë Full Contact, duke arritur tri fitore me nokaut (KO) dhe duke fituar Medaljen e Artë, ndërsa Artor Mehmeti dhe Nart Mehmeti zhvilluan paraqitje të fuqishme deri në gjysmëfinale, duke u stolisur me Medalje të Bronztë.
Kosovën e përfaqësoi me profesionalizëm edhe gjyqtari ndërkombëtar Albin Musa, i cili ndau drejtësinë në ndeshje të ndryshme të turneut sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
Këto rezultate janë dëshmi e punës, talentit dhe përkushtimit të sportistëve tanë, të cilët po vazhdojnë ta prezantojnë Kosovën me dinjitet dhe sukses në skenën ndërkombëtare sportive.

