Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka pritur në takim Kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, me të cilin kanë diskutuar për realizimin e projekteve konkrete në fushën e sportit dhe rinisë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit institucional në projekte të interesit të përbashkët.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e zhvillimit të mëtejmë të infrastrukturës sportive dhe krijimit të hapësirave më të mira për të rinjtë në këtë komunë.
Ministri Gashani e kryetari Peci nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, i cili parasheh mbështetje për realizimin e disa projekteve infrastrukturore dhe sportive, përfshirë renovimin e Qendrës Multifunksionale “Omni Sporti”, ndërtimin e fushave të padelit dhe tenisit, ndërtimin e terreneve sportive, si dhe ndërtimin e poligonit të qitjes në Mazhiq.
Ky memorandum synon avancimin e infrastrukturës sportive, rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në aktivitete fizike dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e sportit dhe rinisë në Mitrovicën e Jugut.
