Projekt-rregullorja për infrastrukturë sportive në konsultime publike

Këtyre ditëve, kur po e përjetojmë nga afër organizimin e Lojërave Mesdhetare Taranto 2026, një gjë bëhet edhe më e qartë: Lojërat Mesdhetare nuk janë vetëm disa ditë gare. Ato fillojnë shumë më herët, por edhe lënë pas infrastrukturë, standarde, përvojë dhe një trashëgimi që duhet t’i shërbejë sportit për dekada.

Prandaj, sot, nga Ministria e Sportit dhe Rinisë kemi hedhur një hap konkret në këtë drejtim.

Kemi publikuar për konsultim publik Projekt-Rregulloren për Infrastrukturën Sportive, dokument që synon të vendosë standarde të qarta për planifikimin, ndërtimin, kategorizimin, menaxhimin, mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e infrastrukturës sportive në Kosovë.

Dhe pikërisht këtu lidhet edhe vizioni ynë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Nga Taranto po shohim se çfarë do të thotë të organizosh një ngjarje të përmasave të tilla dhe sa e rëndësishme është që infrastruktura të mos ndërtohet vetëm për një event, por të projektohet për brezat që vijnë.

Prishtina 2030 është një proces. Dhe ky proces ka filluar me punë konkrete.

Pyetjeve, interesimeve, dëshirave, por edhe brengave, shqetësimit, skepticizmit e dyshimeve, duam t’iu përgjigjemi me punë, me plan, me vizion, me dokumente, me standarde, me projekte dhe me rezultate.

Sot po ndërtojmë një prej bazave të këtij vizioni: një kornizë të qartë për infrastrukturën sportive që Kosova duhet ta ketë.

Për këtë arsye, ftoj sportistët, federatat, klubet, komunat, profesionistët, organizatat sportive, arkitektët, inxhinierët dhe të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e këtij procesi dhe të japin mendimet, sugjerimet e komentet e tyre.

Sepse, ne jemi të bindur, Prishtina 2030 nuk duhet të jetë vetëm një projekt i Ministrisë së Sportit. Duhet të jetë projekt i gjithë Kosovës.

Nga Taranto drejt Prishtinës. Nga një organizim që po e shohim sot, drejt një organizimi e trashëgimie që duam ta ndërtojmë nesër.

Komentet dhe sugjerimet mund t’i dërgoni përmes platformës së konsultimeve publike:

https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php?ConsultationID=43119

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors