Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka zhvilluar një takim me Shefen e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në fushën e rinisë dhe zhvillimit të të rinjve.
Gjatë takimit u diskutua për politikat dhe programet që synojnë fuqizimin e të rinjve dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në proceset vendimmarrëse. Një theks i veçantë iu kushtua rëndësisë së investimit në rini si një faktor kyç për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet shoqëror.
Ministri Gashani theksoi se Ministria e Sportit dhe Rinisë mbetet e përkushtuar në ndërtimin e politikave dhe programeve që krijojnë mundësi të reja për të rinjtë dhe kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Palët u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në iniciativa që mbështesin edukimin joformal, si dhe ripohuan rolin e rëndësishëm të partneriteteve ndërkombëtare në avancimin e agjendës rinore në Kosovë.

