Nën organizimin e Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, Zyrës Regjionale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) dhe GIZ-it gjerman është organizuar Takimi i Nivelit të Lartë të bashkëpunëtorëve dhe donatorëve për fushën e rinisë.
Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, mori pjesë në tryezën e nivelit të lartë për koordinimin e donatorëve në fushën e rinisë, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, organizatave rinore, donatorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në mbështetje të të rinjve të Kosovës.
Gjatë adresimit të tij, ministri Gashani theksoi se krijimi i një platforme të qëndrueshme koordinuese është domosdoshmëri për të siguruar orientimin sa më efektiv të fondeve dhe programeve që adresojnë nevojat dhe prioritetet e rinisë.
Në fokus të diskutimeve ishin punësimi i të rinjve, edukimi, paqja dhe siguria, si dhe mundësitë për fuqizimin e pjesëmarrjes së tyre në jetën shoqërore dhe institucionale. Po ashtu, u theksua rëndësia e partneriteteve afatgjata dhe e koordinimit të përbashkët për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë në Kosovë.
Ministria e Sportit dhe Rinisë mbetet e përkushtuar që, së bashku me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, të ndërtojë politika dhe programe që kontribuojnë në zhvillimin, fuqizimin dhe mirëqenien e të rinjve.
Investimi në rini është investim në të ardhmen e Kosovës.

