Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e International Organization for Migration në Kosovë, znj. Anna Rostocka, Shefe e Misionit në Prishtinë, dhe z. Habib Habibi, Koordinator i Programit të Menaxhimit të Migracionit.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fuqizimin e të rinjve dhe krijimin e më shumë hapësirave për angazhimin e tyre në vend.
Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e mekanizmave që veçse janë në proces të themelimit, si Këshilli Qendror Rinor, Këshillat Rinor Lokal dhe funksionalizimi i platformës “Kosova Volunteers”, të cilat synojnë të ofrojnë mundësi reale për të rinjtë dhe të kontribuojnë në parandalimin e migrimit.
Ministria e Sportit dhe Rinisë vlerëson lart partneritetin me IOM-in, si një element kyç në avancimin e politikave rinore dhe në krijimin e perspektivave të qëndrueshme për të rinjtë në Kosovë.
