Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, priti sot në takim Kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhin, dhe Drejtorin e Arsimit, Hisni Lurin.
Gjatë takimit u diskutuan çështjet prioritare në fushën e sportit dhe rinisë, me fokus në nevojat konkrete të të rinjve, zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe krijimin e mundësive të reja për angazhim dhe zhvillim.
Në frymën e bashkëpunimit institucional, u dakorduan hapat konkretë që do të ndërmerren në ditët në vijim, me synim që këto iniciativa të sjellin rezultate të prekshme për qytetarët e Hanit të Elezit.
Bashkëpunimi ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Sportit dhe Rinisë. Përmes koordinimit, partneritetit dhe veprimit të përbashkët me komunat, po krijohen më shumë mundësi për zhvillimin e sportit dhe fuqizimin e rinisë në çdo cep të Republikës së Kosovës.

