Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030, një hap i rëndësishëm drejt organizimit të një prej ngjarjeve më të mëdha sportive ndërkombëtare në vend.
Ky projektligj përcakton kornizën ligjore, përgjegjësitë institucionale dhe procedurat për organizimin dhe funksionimin e Lojërave Mesdhetare, duke garantuar standarde të larta të transparencës, menaxhim efikas të fondeve publike dhe koordinim të plotë ndërinstitucional.
Përmes këtij investimi strategjik, që parasheh mbështetje financiare prej mbi 253 milionë euro, synohet zhvillimi i mëtejmë i infrastrukturës sportive, fuqizimi i sportit dhe rinisë, si dhe promovimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare si vend që organizon ngjarje të mëdha me profesionalizëm dhe dinjitet.
“Burimi kryesor i financimit për organizimin e LM 2030 do të jetë buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës”, ka thënë mes tjerash ministri Blerim Gashani, gjatë ekspozeut të tij në mbledhjen e qeverisë.
Organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 përbën një projekt me interes të lartë publik dhe kombëtar, duke reflektuar besimin në potencialin e vendit tonë dhe angazhimin për ta përfaqësuar Kosovën denjësisht në skenën ndërkombëtare.

