Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, mori pjesë në Takimin Ministror të Rinisë së Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) në Podgoricë, takim që shënoi edhe 10-vjetorin e themelimit të këtij mekanizmi rajonal.
Në fjalën e tij para ministrave dhe përfaqësuesve të rajonit, ministri Gashani theksoi se bashkëpunimi i qëndrueshëm rajonal duhet të shoqërohet me hapa konkretë.
Ai vuri në fokus respektimin e parimit të bashkëmenaxhimit institucional në RYCO, përfshirë plotësimin e vendeve të përfaqësuesve rinorë në Bordin Drejtues, si dhe nevojën për investim më strategjik në programe që trajtojnë ballafaqimin me të kaluarën dhe trashëgiminë e konflikteve.
Ministri kërkoi gjithashtu rifillimin e negociatave për njohjen e diplomave akademike, si një çështje me ndikim të drejtpërdrejtë në mobilitetin, arsimimin dhe punësimin e të rinjve në rajon.
Si shembull të bashkëpunimit konkret, ai evidentoi marrëveshjen për njohjen e dokumenteve të identitetit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Kosova mbetet e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë, mbi parimet e barazisë institucionale dhe përgjegjësisë së ndërsjellë.
