- Misioni i Divizionit për komunikim publik është zhvillimi dhe koordinimi i komunikimit publik të Ministrisë, përmes informimit transparent dhe profesional të publikut, promovimit të politikave dhe aktiviteteve të Ministrisë, menaxhimit të komunikimit institucional dhe realizimit të çështjeve protokollare, në përputhje me standardet e komunikimit institucional dhe legjislacionin në fuqi.
- Detyrat dhe përgjegjësitë e Divizionit për komunikim publik janë si në vijim:
- Ofron mbështetje profesionale për Ministrinë dhe strukturat udhëheqëse të saj në fushën e komunikimit publik, duke dhënë këshilla dhe rekomandime për prezantimin e politikave, aktiviteteve dhe veprimeve institucionale;
- Koordinon, harton, mbështet zbatimin, mbikëqyr dhe raporton për zbatimin e planit të komunikimit dhe promovimit të Ministrisë, në përputhje me planin e punës së Ministrisë dhe standardet e komunikimit institucional;
- Përgatit, përpilon dhe publikon njoftime, komunikata, deklarata për media, raporte, publikime dhe materiale të tjera informuese, promovuese, tekstuale dhe audio-vizuele, në bashkëpunim me njësitë organizative të Ministrisë;
- Organizon konferenca për media, intervista, paraqitje publike dhe aktivitete të tjera të komunikimit publik në koordinim me zëdhënësin dhe strukturat përkatëse të Ministrisë;
- Mirëmban dhe përditëson ueb-faqen zyrtare të Ministrisë, platformat dhe kanalet zyrtare të komunikimit publik, si dhe administron komunikimin elektronik me publikun;
- Bashkëpunon me institucionet dhe njësitë përgjegjëse për monitorimin mediatik dhe përgatit raporte të rregullta lidhur me prezantimin medial të politikave dhe aktiviteteve të Ministrisë;
- Koordinon dhe trajton kërkesat për qasje në dokumente publike, si dhe përgatit raportet përkatëse në pajtim me legjislacionin në fuqi për qasje në dokumente publike;
- Koordinon dhe realizon çështjet protokollare të Ministrisë, përfshirë organizimin dhe menaxhimin e aktiviteteve, ceremonive, pritjeve zyrtare dhe vizitave të delegacioneve vendore dhe ndërkombëtare, në bashkëpunim me strukturat përkatëse të Ministrisë;
- Zhvillon dhe administron katalogun e dhuratave institucionale dhe siguron dhurata protokollare për strukturat udhëheqëse të Ministrisë, si dhe për delegacionet vendore dhe ndërkombëtare;
- Kryen edhe detyra të tjera në fushën e komunikimit publik, sipas legjislacionit në fuqi dhe kërkesave të Ministrisë.
- Udhëheqësi i Divizionit për komunikim publik i raporton Sekretarit të Përgjithshëm.
Numri i të punësuarve në Divizionin për komunikim publik është pesë (5).
Udhëheqës i Divizionit për komunikim publik është:
Osman D. Gashi