1. Departamenti për Buxhet dhe Financa ka për mision të menaxhojë efektivisht planifikimin dhe ekzekutimin e buxhetit, në përputhje me Ligjin përkatës për Menaxhimin e Financave Publike dhe legjislacionin tjetër në fuqi.
2. Detyrat dhe përgjegjësitë e Departamentit të Buxhetit dhe Financave, janë:
2.1. Menaxhon dhe mbikëqyr procesin e planifikimit të buxhetit dhe parashikimeve financiare në koordinim me njësitë administrative të Ministrisë dhe përcjell realizimin e tij në vazhdimësi;
2.2. Përgatit propozimet buxhetore dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve në koordinim me njësitë administrative të Ministrisë, kryen planifikimin buxhetor për të gjitha programet e Ministrisë, si dhe ndihmon njësitë administrative të Ministrisë dhe agjencitë në përgatitjen e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe kërkesave buxhetore;
2.3. Përgatit propozimet buxhetore me rastin e procesit të rishikimit buxhetor, duke u bazuar në kërkesat e njësive kërkuese për ridestinim të mjeteve nga një kategori shpenzimeve në kategori tjetër, sipas ligjeve në fuqi;
2.4. Siguron që shpenzimet dhe lëvizjet buxhetore dhe financiare, të bëhen në përputhje me rregullat dhe procedurat e menaxhimit të financave publike;
2.5. Përgatit dhe monitoron rrjedhën e parasë, llogaritë, transaksionet dhe parametrat e tjerë financiarë, që tregojnë performancën financiare të Ministrisë;
2.6. Raporton mbi gjendjen e parasë dhe siguron që kontrolli i brendshëm financiar është i bazuar në parimet e llogaridhënies;
2.7. Përgatit pasqyrat financiare përfundimtare të Ministrisë;
2.8. Raporton mbi ekzekutimin e buxhetit në mënyrë periodike; dhe
2.9. Në bashkëpunim me njësitë administrative bën kostimin e politikave të reja.
3. Udhëheqësi i Departamentit për Buxhet dhe Financa raporton te Sekretari i Përgjithshëm.
4. Departamenti për Buxhet dhe Financa përbehet nga divizionet, si në vijim:
4.1. Divizioni për planifikimin dhe monitorimin e buxhetit;
4.2. Divizioni i ekzekutimit të buxhetit dhe raportimit.
5. Numri i të punësuarve në Departamentin për Buxhet dhe Financa, është pesëmbëdhjetë (15).
6. Udhëheqësi i Departamentit për Buxhet dhe Financa njëkohësisht është edhe Zyrtar Kryesor Financiar, i cili menaxhon financat publike në përputhje me legjislacionin.